Ardian Gjini pas zjarrit në ‘Viva Fresh’: Në 36 orët e fundit u shënuan mbi 80 zjarre

Sot në Gjakovë ra zjarr në njërin ndër objektet e mëdha në qendër të qytetit, në qendrën tregëtare Viva Fresh. Edhepse dëmet materiale duket se janë të mëdha, fat i mirë është se nuk ka pasur viktima në njerëz. 

Në ndërkohë, në komunën e Gjakovës në 36 orët e fundit janë shfaqur mbi 80 zjarre kryesisht në male dhe fusha. Është tejet e papërgjegjshme sjellja e individëve të caktuar, të cilët duke gjetur mënyra brutalisht të papërshtatshme të punëve në fusha, e vëjnë në rrezik jetën e njerëzve, pasurinë publike dhe i shkaktojnë dëme të pariparueshme mjedisit jetësorë. 

I falënderoj tejmase zjarrëfikësit e brigadës së Gjakovës të cilët tanimë me ditë të tëra, jasht çdo parashikim dhe me vetmohim maksimal po përballen me zjarret e shkaktuara nga njerëz skajshëm të papërgjegjshëm. 

Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta ndërpresin zjarrvënien në fusha sepse dëmet mund të jenë të pariparueshme. 

E falënderoj poashtu policinë e Kosovës për reagim tejet profesional dhe vetmohues. 

Në të njejtën kohë, iu bëj thirrje të gjitha organeve të rendit që me rigorozitetin më të madh t’i hetojnë të gjithë ata që e vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe pasurinë qoftë publike qoftë private.