Kosova kërkon numër më të madh të pjesëmarrësve në Lojërat Evropiane

Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë të ditur se për Lojërat Evropiane “Minsk 2019” kanë aplikuar për pjesëmarrje 25 sportistë, shtatë më shumë sesa numri i sportistëve që morën pjesë në edicionin e fundit, “Baku 2015”.

25 sportistë të shtatë federatave sportive në Kosovë kanë aplikuar për pjesëmarrje në Lojërat e Dyta Evropiane Minsk 2019, të cilat mbahen prej 21-30 qershor në Minsk të Bjellorusisë.

Federatat kanë plotësuar aplikacionin e kërkuar nga organizatori, ndërsa Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, miratoi listën në mbledhjen e mbajtur mbrëmë.

Data 28 shkurt ka qenë e fundit për dërgimin e listës së gjerë, ndërsa pas një muaji do të vendoset për listën përfundimtare.

Federatat që kanë aplikuar janë: Xhudo, karate, boksi, mundja, pingpongu, shigjetaria dhe çiklizmi.

Kosova debutimin në Lojërat Evropiane e ka bërë në Baku 2015, në të cilat fitoi medaljen e bronztë me xhudisten, Nora Gjakova. Në Baku, ekipi ynë u përfaqësua me 18 sportistë.