Produktet ushqimore të ekspozuara në diell, rrezikohet shëndeti i konsumatorëve

Pavarësisht vapës së madhe që po mbretëron në vend, shumë produkte ushqimore vazhdojnë të shiten në kushte jo adekuate. Në tregun e gjelbër të Prishtinës sot ishin të ekspozuara produkte të bulmetit dhe mishit të cilat paraqesin një rrezik të lartë për shëndetin e njerëzve.

Edhe pse konsumatorët thonë se janë në dijeni për rrezikun shëndetësor nga këto produkte, ata prapë vazhdojnë t’i blejnë ato.

E në anën tjetër edhe tregtarët janë të vetëdijshëm për produktet që paraqesin rrezik, por shprehën se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Sot meqë ishte ditë pushimi, nuk u panë në terren as inspektorati komunal i Prishtinës, e në punë nuk kishin dalë sot as mjekët e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Zëdhënësja e Institutit, Era Pireva nuk e ka hapur telefonin.

Qytetari Edmond Kaja deklaron se është i vetëdijshëm për pasojat që mund të jenë nga produktet e ekspozuara në këto temperatura të larta, por sipas të cilit nuk ka zgjidhje tjetër deri në krijimin e kushteve adekuate.

“Ndoshta është rrezik, por ne po I blejmë. S’e di sa është rrezik, me siguri se është, sepse është bulmet, por s’po ka zgjidhje tjetër. Gjithqysh duhet me qenë një vend adekuat i mbyllur me ventilim. Por, pa e hapur diku tjetër nuk duhet ndaluar kjo shitje, dhe pa u bërë një zgjidhje tjetër nuk duhet me u ndaluar, s’e ne duhet me ble diku”, thekson ai.

Edhe Remzi Mehmeti nga Prishtina shprehet se komuna e Prishtinës duhet ta ndërtojë një treg me kushte më të mirë. Sipas Mehmetit, derisa nuk ka zgjidhje tjetër, qytetarët dhe tregtarët janë të pa fajshëm.

“Temperatura e bënë të vetën, pore dhe në s’po kemi qare pa u ushqyer… S’kemi çka me bërë ne, kur vet komuna dhe vet shteti nuk interesohet për treg, ngaqë brenda shumica qëndrojnë zbrazur. Çka me I bërë këtij populli, kur ne jemi nevojtar, edhe tregtarët janë në zor, në hall. Pra, diku duhet me u furnizua”, deklaron Mehmeti.