Spitali i Gjilanit me shtretër të rinj për repartin e dializës

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë ndarë 20 shtretër të rinj për Spitalin e Gjilanit, të cilët janë vendosur në reparte të ndryshme, duke zëvendësuar të vjetrit, për të ofruar qëndrim më të rehatshëm për pacientët që kërkojnë trajtim mjekësor.

12 prej tyre, janë vënë në dispozicion të Pavijonit të Hemodializës, kurse të tjerët në Kujdesin Intensiv të Kirurgjisë e Gjinekologjisë dhe në Repartin e Neurologjisë.

Drejtori i Spitalit, Nisret Hajrullahu, thotë se shpërndarja e shtretërve të rinj është bërë në bazë të prioriteteve.

“Kishim nevojë jashtëzakonisht të madhe për një lloj të shtratit të tillë që kemi marrë. Jemi fokusuar që shfrytëzimi i tyre të jetë sa më i madh. Kështu që, kemi vendosur që t’i japim prioritet Repartit të Hemodializës, ku çdo ditë vijnë pacientë dhe shfrytëzohet në mënyrë shumë racionale”, tha Hajrullahu.

Reparti i Dializës ka 20 shtretër dhe ofron shërbime 24 orë. Aktualisht, në Spitalin e Gjilanit, trajtohen 60 pacientë, ndërsa gjatë verës numri rritet, pasi që aty marrin tretman edhe raste nga diaspora.

Refik Koprani, i shtrirë në Repartin e Hemodializës, ku kalon pjesën me të madhe të ditës tash e disa vjet, thotë se shtrati i ri është shumë i përshtatshëm.

“Shtretërit e vjetër kanë qenë katastrofë. Me këta jemi tepër të kënaqur. Trupi po pushon, kur po bien, po din ku po bien. Qysh të kesh dëshirë e lëviz. Unë kam qenë në Tiranë, ama këta shtretër që i kanë sjellë këtu janë shumë më të mirë”, tha Koprani.

Përveç qytetarëve të Gjilanit, në këtë repart trajtohen edhe pacientë nga Komuna e Vitisë dhe Kamenicës.