Ujku e tërhoqi zvarrë me metra, 5 vjeçarin

Loja me top, gati përfundoi me tragjedi për pesë vjeçarin A. Suma, nga fshati Dimcë i Komunës së Hanit të Elezit. Ai pasditen e djeshme u sulmua nga një kafshë jo e zakonshme, derisa po luante me motrat e vëllain e tij.

Ishte ora gati gjashtë e pasdites. Pesë vjeçari A.Suma po luante në një arë pranë shtëpisë së tij. Por loja atyre iu ndal nga një ‘mysafir’ jo i këndshëm. Ujku u shfaq në mes të arës, duke iu vërsulur atyre. Kafsha e egër kishte arritur që ta kafshojë pesë vjeçarin, duke i shkaktuar kështu lëndime jo të lehta trupore.

Ai u tërhoq zvarrë nga ujku për disa metra. Si pasojë, A.Suma mori lëndime në kokë, krah, këmbë e bark.

Fatmirësisht pesë vjeçari u shpëtua nga axha i tij, i cili e kishte marrë nipin dhe me urgjencë e kishte dërguar për në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).