Zeka: I kam ra pishman që reagova ashtu ndaj Frashërit, sot do veproja ndryshe

Deputeti i Nisma për Kosovën, Milaim Zeka ka thënë se grushtet që Frashër Krasniqi i dha në studio televizive e goditën më rënë Lëvizjen Vetëvendosje sesa vet atë.

Ai ka deklaruar që nga burime brenda Vetëvendosje më vonë ka marrë vesh se mu aty ka nisur thyerja e madhe në këtë subjekt politik, që më pas çoi në ndarjen e një krahu dhe kalimin në Partinë Socialdemokrate.

“Mua me atë njeri(Frashër Krasniqi) më lidh edhe gjaku, sepse është nip i Polacit. Unë nuk kam qenë këtu sepse padrejtësisht drejtori juaj ekzekutiv e ka dhunuar fjalën e lirë. Jam i ashpër në debatet e mia, por kurrë në jetë nuk kam përdorur dhunë ndaj dikujt. Nuk kam mundur ta imagjinoj që dikush mund të të godasë në studio. Por ajo ka qenë goditja më e rëndë që ka mundur t’i japë Lëvizjes Vetëvendosje. Të dy krahët kanë thënë që përçarja e madhe ka nisur aty. Shumë më shumë se ai grusht mua më ka shkaktuar dhimbje dhe plagë fushata që ka bërë Vetëvendosje në rrjete sociale dhe përmes njerëzve në studio televizive”, ka thënë Zeka në Klan Kosova.

Sipas tij, tema ditë ka qenë mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës, për cka sipas tij kanë faj dy krahët, si pozita si opozita.

“I kam ra pishman vetëm tek reagimi im kur më ka gjuajtur me ujë. Po të isha sot do të çohesha dhe do të largohesha, duke thënë se me rrugaçë të këtillë nuk debatohet. Për mua shumica e njerëzve të Vetëvendosjes kanë qenë rrugaçë. Metodat që kanë përdorur duke i gjuajtur me vezë Blerand Stavilecin, Memli Krasniqin, para grave, para fëmijëve. Rëndësi ka që qytetarët e Kosovës e panë maskën e Lëvizjes Vetëvendosje. Rezultat i këtij mishmashi, i këasj çorbe të cilën ata e gatuan për 12 vjet, është në pjatat e veta. Mua nuk më ka rënë(goditur) Frashër Krasniqi, por kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje. Më ka ardhur keq edhe kur është dënuar për veprën tjetër”, ka thënë tutje Zeka.

Sipas tij, Frashëri e ka vetëm një obligim qytetar dhe moral: të tregojë kush e ka motivuar për ta  sulmuar atë fizikisht.

“Ardhja, fuqizimi i Vetëvendosjes nuk ka ardhur për ndonjë program të mirë, për ndonjë kauzë të mirë. Ka ardhur mbi bazën e sharjeve, fyerjeve, linçimeve. Asnjë kundërshtim nuk e kam për t’u ulur me Frashërin ballë për ballë, për të diskutuar. E çmoj njeriun kombëtarisht, në rastin konkret e çmoj familjen e tij. Dhe në rrafshin politik. Sa i përket këtij rrafshi jemi armiq të përbetuar. Unë e kam nënën e zhdukur, ata më thoshin se ua kemi kthyer fytyrën Aleksandar Vuçiqit. Unë ua kam thënë atyre se ia kanë kthyer b*** atij. Nuk ka nënë shqiptare që nuk i ka thënë fëmijës së tij trys b***. Ne jemi shoqëri e kohës së gurit. Unë nuk bëhem kaps kur rri me ambasadorë të huaj, për dallim prej 90 për qind të politikanëve tanë”, ka shtuar Zeka.